FA rrethon aerodromin e Gjirokastrës

Forcat e Armatosura kanë rrethuar pistën e aerodromit të Gjirokastrës me qëllim ndalimin e uljes së avionëve. Blloqe betoni dhe tela janë vendosur sot nga ushtarë në gjatësinë e pistës. Sipas përfaqësuesëve të Ministrisë së Mbrojtjes, aksioni është ndërmarrë në kuadër të masave për ruajtjen e objekteve në konservim, ndërsa masat në Gjirokastër janë marrë duke patur parasysh faktin se Gjirokastra konsiderohet si zonë kultivimi e trafikimi kanabisi. Masat prej Ministrisë së Mbrojtjes vijnë disa javë pas akuzave të opozitës, për ulje të avionëve që kanë trasportuar drogë. Operacioni ka nisur mesditën e sotme nga forcat e ushtrisë drejtuar nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Mjete të rënda kanë sjellë barrierat e betonit të vendosura në mes të pistës, me një distancë rreth 100 m- larg njera tjetrës, që bën të pamundur uljen e avionëve në këtë pistë, ndërsa mësohet se barrierat e mëdha të betonit do të vendosen edhe në pjesët anësore. Në pjesën ku vendosen këto barriera ndalohet rreptësisht hyrja si për banorët e zonës edhe për gazetarët, për këtë arsye ka qenë i pamundur filmimi i plotë i aksionit.Aerodromi i Gjirokastrës u ndërtua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga italianët. Pas vitit 1944, shërbimi civil në aeroportin e Jugut do të ndërpritej, por pista e tij do të përdorej për fluturime për qëllime ushtarake, për nevoja qeveritare dhe humanitare.

Share Button