Erdogan viziton Shqipërinë më 14 maj

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri më datën 14 maj. Mësohet se vizita zyrtare e Erdogan është njëditore dhe vjen pas ftesës se Kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Siç mësohet, gjatë vizitës së tij në Tiranë kryeministri Erdogan, përveç takimeve me kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama, do të pritet nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, do të zhvillojë një takim me Kreun e Kuvendit, Ilir Meta, si dhe do të mbajë një fjalim të posaçëm në Parlamentin e Shqipërisë. Marrëdhëniet me Turqinë kanë marrë një shtysë të fuqishme pas ardhjes në pushtet të mazhorancës së majtë së kryesuar nga Edi Rama, i cili i ka cilësuar si “strategjike” relacionet me Ankaranë. Që prej qershorit të 2013-ës janë intensifikuar vizitat e zyrtarëve shqiptarë në Turqi dhe anasjelltas duke krijuar një bazë substanciale të partneritetit mes dy vendeve. Kryeministri Edi Rama, e ka vizituar dy herë Turqinë, njëherë para zgjedhjeve të 23 qershorit dhe një herë më pas, ku është pritur jo vetëm nga homologu i tij Erdogan por nga një ekip i zgjeruar të qeverisë turke. Në këto takime është konstituuar dhe “Këshilli i Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Shqipëri-Turqi”.

Share Button