Erdoğan sot vizitë në Moskë, takim me Putinin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, sot do të udhëtojë në Moskë ku pritet të takojë homologun e tij rus, Vlladimir Putin dhe bashkëpunëtorët e tij, raporton Anadolu Agency.

Në Moskë, do të mbahet një takim i këshillit për bashkëpunimin Turqi-Rusi i cili nuk u mbajt vitin e kaluar nga shkaku i krizës në marrëdhëniet dypalëshe mes shteteve si pasojë e rrëzimit të avionit luftarak rus nga ana e Turqisë në nëntor të vitit 2015.

Pritet që palët të arrijnë marrëveshje për bashkëpunim në lëmin e ekonomisë, kulturës dhe turizmit, ndërkohë që më shumë detaje, priten të publikohen në konferencën e përbashkët për mediat pas takimit.

Pas takimeve zyrtare, delegacionit turk do ti bëhet një pritje zyrtare, ndërkohë që presidenti i Turqisë, Erdoğan, do të vendosë një kurorë me lule në memorialin e heroit të panjohur në afërsi të Kremlinit.

Që nga vera e kaluar, Rusia filloi të lehtësojë sanksionet kundër Turqisë, të cilat i vendosi pas incidentit të lartpërmendur, dhe që atëherë të dy vendet po punojnë së bashku në mënyrë që të vendoset një armëpushim afatgjatë dhe një zgjidhje politike për krizën siriane.

Marrëdhëniet dypalëshe ishin para një sfide serioze në dhjetor të vitit 2016, atëherë kur në Ankara u qëllua për vdekje ambasadori rus në Turqi, Andrej Karlov.

Vlerësimi i Putinit për këtë vrasje ishte “provokim me qëllim të prishjes së marrëdhënieve mes Rusisë dhe Turqisë”.

Share Button