Erdoğan pritet me ceremoni zyrtare në Poloni

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan është pritur me ceremoni zyrtare nga ana e presidentit të Polonisë, Andrzej Duda në kuadër të vizitës zyrtare presidentit turk në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Në pritjen që u realizua në Pallatin Presidencial të Polonisë, dy liderët prezantuan edhe delegacionet e tyre.

Pas intonimit të himneve të të dy shteteve, Erdoğan dhe Duda përshëndetën gardën presidenciale.

Me përfundimin e ceremonisë së parakalimit ushtarak, dy presidentët kaluan në takimin kokë më kokë dhe atë mes delegacioneve.

Erdoğan dhe Duda, të cilët do të marrin pjesë në firmosjen e disa marrëveshjeve, do të dalin me konferencë të përbashkët për media.

Ndryshe, gjatë vizitës së tij zyrtare në Poloni, Erdoğan shoqërohet nga ministra dhe biznesmenë të Turqisë.

Ndërkaq, në ceremoninë e pritjes të pranishëm ishin ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, ministri për Çështje të Bashkimit Evropian Ömer Çelik, ministrja e Punës dhe Sigurisë Sociale Jülide Sarıeroğlu, ministri i Ekonomisë Nihat Zeybekci, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Berat Albayrak, ministri i Kulturës dhe Turizmit Numan Kurtulmuş, ministri i Mbrojtjes Nurettin Canikli dhe Zëvendëssekretari i Përgjithshëm dhe Zëdhënësi i Presidencës İbrahim Kalın.

Share Button