Erdogan: Islamofobia e përhapur në të gjithë Europën

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se islamofobia është e përhapur në të gjithë Evropën.

Presidenti Erdogan ka publikuar një mesazh me rastin e “9 Majit, Ditën e Evropës”.

“Sëmundjet sociale si: diskriminimi, racizmi kulturor, ksenofobia dhe islamofobia janë për fat të keq të përhapura në të gjithë kontinentin. Partitë e ekstremit të djathtë, të cilat po i rrisin gjithnjë e më shumë votat e tyre dhe po arrijnë në një pozitë vendimtare në politikë, po e kapin rob jetën socio-politike të Evropës. Shohim se shumë politikanë evropianë në emër të llogarive afatshkurtra po heshtin dhe nuk reagojnë ndaj këtyre rrymave, të cilat kërcënojnë jo vetëm vlerat themeluese të Unionit, por edhe të ardhmen e përbashkët të Evropës”, shkruan Erdoan në mesazhin e tij.

Duke pohuar edhe një herë se Turqia është për vazhdimin e procesit të pranimit të saj në Bashkimin Evropian (BE), mesazhin e tij Erdoan e vijon me fjalët:

“Vendi ynë, i cili për shekuj me radhë vazhdon të jetë një pjesë e Evropës në aspektin historik, gjeografik dhe kulturor, dëshiron që procesin e anëtarësimit në BE, të cilin e shikon si një objektiv strategjik, ta vazhdojë në kuadër të konceptit të respektit reciprok, barazisë dhe ‘win-win’. Shembulli më konkret dhe aktual i këtij konceptimi është bashkëpunimi që ne kemi zhvilluar me BE-në në periudhën kur kriza e refugjatëve kishte arritur kulmin”.

Share Button