Epidemia merr jetën e 34 njerëzve në Jemen, mbi 2 mijë të infektuar

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar se 34 persona kanë humbur jetën si pasojë e epidemisë së kolerës që ka kapluar kryeqytetin e Jemenit, Sana, të kontrolluar nga lëvizja Husi dhe qytetet e tjera, ndërsa mbi dy mijë njerëz janë infektuar nga sëmundja, raporton Anadolu Agency (AA).

Xhemal Nashir, zyrtar i Sistemeve Shëndetësore të OBSH-së, për AA tha se është konstatuar se 2.022 njerëz janë infektuar nga sëmundja, kurse 34 kanë humbur jetën.

Nashir theksoi se në epideminë paraprake shumica janë sëmurë nga diarreja akute, porse kësaj radhe te shumica e pacientëve është vërejtur bakteri i kolerës.

Sipas të dhënave të OBSH-së, në epideminë paraprake në Jemen ishin sëmurë 21 mijë njerëz, kurse 103 kishin humbur jetën.

Vëmendje tërheq fakti se epidemia ka shpërthyer pikërisht në kohën kur mbeturinat në rrugët e Sanas janë akumuluar si pasojë e grevës së punonjësve të pastërtisë publike për shkak të mosmarrjes së pagave nga lëvizja Husi.

Share Button