Ende pa rezultat kërkimet për avionin “Malaysia Airlines”

Zona prej 850 kilometrash katrorë, pranë brigjeve perëndimore të Australisë, nga ku u diktuan sinjale nënujore, përfundimisht nuk është vendi i prehjes së avionit të “Malaysia Airlines”, të zhdukur më 8 Mars.
Agjencia australiane, që drejton kërkimet për fluturimin MH370, e konsideron të mbyllur verifikimin e pjesës së detit, ku në fillim të Prillit u besua se ishin pikasur 4 sinjale akustike nga kutitë e zeza të “Boeing 777”. Disa orë përpara kësaj deklarate, një zyrtar i Marinës amerikane i tha CNN-it se, tashmë ekziston bindja se sinjalet, që nxiten kërkimet 7-javore, me shpresen e rënies më në fund në gjurmët e avionit të humbur me 239 persona në bord, nuk vinin prej regjistruesit të të dhënave.“Po të ishin lëshuar vërtet prej kutive të zeza të avionit malajzian, sot do t’i kishim gjetur”, u shpreh Michael Dean.Ekipet e dërguara në Oqeanin Indian, për të gjetur qoftë edhe ndonjë pjesë sado të vogël të MH370, nuk kanë pasur sukses. Në këtë pikë, është vendosur që kërkimet nënujore të shtyhen me të paktën 2 muaj.
Zhdukja e MH370 vazhdon të mbetet e rrethuar me mister: nuk pati asnjë thirrje emergjence, moti nuk ishte i keq dhe avioni drejtohej nga një pilot me përvojë, e për këtë arsye, aksidenti ajror në Azinë Jugore ngre shumë pikëpyetje.Teoria më e fundit mbi fatin e tij ishte ajo e Nigel Cawthorne, autori i një libri mbi avionin malajzian, i cili pretendon se “Boeing 777”, i nisur nga Kuala Lumpur drejt Pekinit, mund të jetë qëlluar gabimisht gjatë një stërvitjeje të përbashkët ushtarake amerikano-tajlandeze dhe se kërkimet, me vetëdije u devijuan në pjesën e gabuar të oqeanit, si pjesë e përpjekjeve për ta mbuluar çështjen.

Share Button