Ekspertët tërheqin nga morgu zemrën e Ilia Karelit

Ekspertët shqiptarë morën sot në dorëzim në Athinë, zemrën e Ilia Karelit. Një prokuror shqiptar dhe një ekspert i mjekësisë ligjore udhëtuan dje drejt Athinës, për të tërhequr prej andej zemrën dhe disa inde të lëkurës së Ilia Karelit, shqiptarit që u kaqtrajtua për vdekje në burgun e Nigritas, në Greqi. Lajmi konfirmohet nga ambasada shqiptare në Athinë, të cilat sqaruan se prokurori dhe eksperti u shoqëruan nga oficeri i kontaktit në këtë ambasadë. Kërkesa për tërheqjen e zemrës dhe indeve të lëkurës së 42-vjeçarit, Ilia Kareli u bë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, dhe pasi të mbërrijë në Shqipëri do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore, për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së shqiptarit të torturuar dhe do t’iu shërbejë hetimeve për çështjen. Ekspertiza mjeko-ligjore greke nxori se Kareli vuante nga një sëmundje e hershme në zemër, e cila ndikoi në vdekjen e tij nga dhuna. Ndërsa lidhur me djegiet në duar u tha se ato ishin plagë të hershme dhe mbi të dënuarin nuk ishte ushtruar elektro-shok. Ilia Kareli ndërroi jetë në burgun e Nigritës si pasojë e dhunës së ushtruar nga gardianët, mesa duket në shenjë hakmarrje për vrasjen e kolegut të tyre, Jorgo Cironi, të cilin shqiptari e vrau me thikë në burgun e Malandrinos.

Share Button