Egjipt, ish-presidenti Mursi dënohet me 20 vite burg

Një gjykatë në Egjipt ka dënuar sot me 20 vjet burg ish-presidentin Mohammed Mursi, për vrasjen e protestuesve teksa ishte ende në pushtet. Bëhet fjalë për dënimin e parë me të cilin Mursi përballet që nga rrëzimi nga posti, ndërkohë që një seri procesesh të tjera gjyqësore do të vijojnë ndaj tij. Në prag të vendimit, Vëllazëria akuzoi shefin e dikurshëm të ushtrisë dhe aktualisht presidentin e vendit, Abdul Fattah al Sisi për përdorim të gjyqësorit si një armë. Vetë Mursi ka refuzuar të njohë autoritetin e gjykatës, me pretendimin se ishte viktimë e një grushti ushtarak shteti. Ditën e hënë, një gjykatë dënoi me vdekje 22 mbështetës të Vëllazërisë Myslimane për një sulm ndaj një komisariati policie në Kajro, që ishte përfshirë në operacionet kundër këtij fraksioni. Mursi u rrëzua nga pushteti përmes një grushti shteti në korrik 2013, pas protestave masive të verifikuara në rrugët e Kajros kundër regjimit të tij. Që atëherë, autoritetet që morën pushtetin e shpallën të paligjshme partinë e tij Vëllazëria Muslimane dhe mijëra mbështetës të tij u arrestuan.

Share Button