Egjipt, festime për fitoren e al-Sisit

Egjiptianët kanë festuar në sheshin Tahrir fitoren në zgjedhjet presidenciale të ish-shefit të Ushtrisë, Abdel Fattah al-Sisi. Presidenti i sapozgjedhur në adresimin e parë drejtuar kombit apeloi qytetarët të punojnë së bashku për një të ardhme më të mirë.  Sidoqoftë, një pjesëmarrje më e ulët nga sa pritej, prej rreth 47 për qind, ka ngritur dyshime nëse ai do të jetë në gjendje të mbajë popullaritetin ndërsa do të angazhohet në rimëkëmbjen e ekonomisë së tronditur të vendit.
Ndërsa al-Sisi u ngrit në idhull nga shumë qytetarë pasi rrëzoi presidentin Muhamed Mursi të Vëllazërisë Muslimane, ai ka dhënë shumë pak detaje sesi planifikon të bëjnë ndryshime.
Por, për momentin, mbështetësit e tij duken të kënaqur me festimet.
“Shpresojmë që ai të mbajë të gjitha përgjegjësitë që ka marrë, jemi me të dhe ai e meriton të jetë presidenti i vendit”, thotë një grua.
“Njerëzit e duan al-Sisin, thotë një tjetër, dhe do i përgjigjen kërkesave të tij. “Ne do ta mbështesim që të jetojmë në paqe dhe siguri”, thotë një tjetër. Korrespondentët në sheshin Tahrir vënë në dukje se festimet për al Sisin u përqëndruan në këtë vend, i cili u bë simbol i ndryshimit në mjedisin politik egjiptian. Qytetarët tashmë shpresojnë se regjimi i ri mund të arrijë gjërat që ai i mëparshmi nuk mundi.

Share Button