Dita e tretë e Festivalit Ndërkombëtar Teatror Skampa 2017

“Komedia qesharake e tokës së kontestuar” titullohet performanca e radhës që do të vijojë programin në ditën e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor “Skampa 2017”. Nën regjinë e Claudio De Maglio dhe Saviano Maria Italiano, kjo shfaqje do të ngjitet në skenë nga trupa teatrore e Puglia-s, “I Nuovi Scalzi”.

Nëpërmjet gjuhës së artit “Komedia qesharake e tokës së kontestuar” trajton temën e “Fuqisë Ekonomike” dhe spekullimin në ndërtime, duke hapur reflektimin mbi temat e mëposhtme: pronën, dominimin politik, korrupsionin, oportunizmin dhe shfrytëzimin.

Pjesë e tematikës së kësaj shfaqje është  gjithashtu “Dashuria”, duke e trajtuar atë si në formën e saj fillestare, ndjesinë e përbashkët që lidh dy njerëz së bashku, ashtu edhe në aspektin e dashurisë për drejtësinë dhe për tokën, si një e mirë e përbashkët dhe burim universal.

Kompania “I Nuovi Scalzi”, e krijuar në vitin 2007, ofron një teatër fizik dhe vizual përmes gjuhës shprehëse të maskës, vallëzimit, cirkut të ri dhe arteve interpretuese. Prezantimi i saj për herë të parë me publikun shqiptar realizohet në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës.

Performancat e realizuara nga kjo kompani teatrore kanë njohur sukses si brenda dhe jashtë vendit, në sajë të aftësisë së artistëve të saj për gjetjen e gjuhëve universale teatrore që krijojnë impaktin e duhur te publiku. Në shfaqjet e tyre ndërthuren elemente të traditës popullore me ato bashkëkohore, duke tërhequr vëmendjen e një publiku të përzier, të rritur e të rinj. Shfaqja “Komedia qesharake e tokës së kontestuar” ka marrë çmime të shumta në festivale të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ditën e nesërme, regjisori Savino Maria Italiano do të zhvillojë edhe një Workshop me temë “Maskat dhe karakteret” në Komedinë e Artit.

22773390_10213596972740752_131797006_n

Share Button