Dita e pestë e Festivalit Ndërkombëtar Teatror “Skampa 2017”

“Hispania: vargu, druri dhe epoka e artë” titullohet shfaqja e Kompanisë Teatrore të Kilit “Finalis Terra”, e cila është njëra prej trupave të ftuara në edicionin e 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor “Skampa 2017”. Trupa kiliane do të sjellë për publikun e festivalit një performancë të veçantë, e cila përfshihet e gjitha nga një frymë poetike dhe muzikore, duke përshkruar një udhëtim nëpër kulturën ibero-amerikane. “Hispania: vargu, druri dhe epoka e artë” është një shfaqje e fokusuar në Kohën e Artë Spanjolle, ku poezitë dhe fragmentet teatrore të repertorit spanjoll janë paraqitur nëpërmjet muzikës së folklorit të Amerikës Latine, të përcjella në dy gjuhë, anglisht dhe spanjisht. Kjo shfaqje është realizuar nën regjinë e Maria de los Reyes Martines Aznar dhe interpretohet nga vetë regjisorja dhe kitaristi kilian Ramon Vergara.

“Prej vitesh dy emigrantë jetojnë në një bodrum, larg vendlindjes. Njëri prej tyre nis të shkruajë romanin e jetës, ndërsa tjetri mbledh para dhe bën plane për të ndërtuar një shtëpi në vendlindjen e tij. Jeta e tyre rrjedh me nuancat e dhimbjeve, mallit dhe zhgënjimit, derisa ëndrrat e tyre përmbysen dhe ata marrin një vendim drastik”. Kjo është historia e dramës “Emigranti”, e cila do të jetë shfaqja e dytë që do të ngjitet sonte në skenë nga trupa e Teatrit “Bylis” të Fierit. E shkruar nga autori polak Slawomir Mrozek dhe nën drejtimin e regjisorit të njohur Klajdi Marku, kjo pjesë duket se përshtatet më së miri me realitetin shqiptar ku emigracioni është pjesë e rëndësishme e jetës. Dy emigrantët interpretohen nga Astrit Hasani dhe Fatmir Xhelili, të cilët numërojnë shumë vite në skenën e Teatrit “Bylis”. E gjithë drama mbart mesazhe të forta të ëndrrave për jetën, dashurisë për familjen, përkushtimin dhe mbi të gjitha, kalimit të vështirësive dhe tundimeve shpirtërore.

Share Button