Dita e katërt e Festivalit “Skampa 2017”

Teatri i Muzikës dhe Dramës, në Republikën e Komit, në Rusi, ishte një nga trupat e përzgjedhura të programit, sot në ditën e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor “Skampa 2017”. Kjo trupë është përfaqësuar me dramën “Zonja Kapulet”, e cila ka vendosur në qendër të saj një prej personazheve disi të mënjanuar të veprës së famshme shekspiriane “Romeo dhe Zhulieta”. Nën drejtimin e regjisores Nevena Miteva, Zonja Kapulet, nëna e Zhulietës, paraqitet në këtë pjesë në një këndvështrim krejt të ri psikologjik përmes monologut në skenë. Historia e jetës së saj, siç rezulton, ishte e mbushur me mistere, pasione dhe dramë. Gjatë shfaqjes, aktorja Aliona Smetanina, veç personazhit plot dhimbje për humbjen e vajzës së saj, vesh edhe petkun e personazheve të tjera përmes prizmit të vetë kujtesës së Zonjës Kapulet.

Ndërsa trupa e dytë, e cila do të ngjitet mbrëmjen e sotme në skenën e Teatrit “Skampa” është 3AT Dance Company. “Pjesë e kujtesës” titullohet performanca koreografike që do të përcillet për publikun me një koncept bashkëkohor nën drejtimin artistik të Artan Ibërshimit. Kjo shfaqje sinjifikon përpjekjen e vazhdueshme të njeriut për të mbartur ëndrrën mbi qenien e vet, duke u munduar të gjejë vazhdimisht një vend, për ta ankoruar atë në limane të shkretuara, për ta ridimensionuar… Dhe në fund, pa bërtitje nga lëngimi, si shpresë e rikthimit tek e vërteta, imazhi i gjymtuar dhe i munguar në kohë bëhet pjesë e memories që identifikon secilin prej personazheve.
“Pjesë e kujtesës” vjen si një prurje e re e dancit kontemporan në këtë edicion të 19-të të “Festivalit Skampa”, e interpretuar nga: Erdet Mirka, Arlinda Mulgeci, Artan Ibërshimi, Aulona Hoxha, Altin Gega, Andela Shehu, Armand Rustemi, Klea Shaqiri dhe Valter Hana.

Share Button