Dita e Evropës, Nishani mesazh Presidentit të KE

Presidenti i Republikës Bujar Nishani me rastin e Ditës së Evropës i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Këshillit Europian, Herman Van Rompuy.

Kreu i shtetit shqiptar thekson se simbolika e kësaj dite na bën të gjithëve të risjellim në kujtesë bashkëpunimin dhe paqen, si vlera të ndërtuara gjatë viteve, e tashmë të konsoliduara në Bashkimin Evropian.

Presidenti më tej thekson se Shqipëria çmon mbështetjen e vazhdueshme që institucionet evropiane i kanë dhënë dhe i japin vendit tonë.

MESAZHI I PLOTË

“Me rastin e Ditës së Evropës, 9 Majit, kam kënaqësinë e veçantë që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell urimet më të mira e të sinqerta, juve dhe gjithë qytetarëve evropianë!

Simbolika e kësaj dite na bën të gjithëve të risjellim në kujtesë bashkëpunimin dhe paqen, si vlera të ndërtuara gjatë viteve, e tashmë të konsoliduara në Bashkimin Evropian, duke u bërë shembull frymëzues e inkurajues për vendet e Ballkanit Perëndimor, në përmbushjen e aspiratës së tyre të përbashkët integruese, për të lënë pas të shkuarën konfliktuale dhe ndërtuar të ardhmen evropiane.

Dëshiroj, me këtë rast, të nënvizoj se ne çmojmë lart mbështetjen e vazhdueshme që institucionet evropiane i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë në përmbushjen e kritereve të duhura për integrimin e saj në familjen evropiane, si edhe të shpreh besimin në vijueshmërinë e mëtejshme të kësaj mbështetjeje me synim përshpejtimin e këtij procesi eurointegrues.

Duke ju uruar edhe një herë festime të gëzueshme, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”- thuhet në mesazhin e Nishanit.

 

Share Button