Diplomohet brezi i gjashtë i studentëve të trajnimit mediatik

Media Kontakti ka certifikuar sot 14 studentë, që përfunduan me sukses trajnimin “Njohuri praktike mbi gazetarinë”. Ky trajnim, i vetmi në këtë lëmi, që ofrohet nga një institucion mediatik shqiptar, shënon vitin e gjashtë të organizimit dhe formula e tij ka rezultuar mjaft efikase, pasi mbështetet në proceset praktike të punës në media.

Nga data 27 prill deri me 12 maj, 14 studentë me profile të ndryshme studimore, por me të njëjtin qëllim e pasion për punën në media, patën mundësi të njihen me bazat e punës së përditshme të gazetarit. Fokusi i trajnimit “Njohuri praktike mbi gazetarinë” ishte puna në televizion dhe në fund të trajnimit secili nga studentët arriti të realizonte një reportazh të shkurtër televiziv, ku të gjitha proceset e punës nga filmimi, teksti deri tek montazhi u kryen nga vetë ata.

dsc_5348

Gjatë ceremonisë festive të mbajtur sot në mjediset e Televizionit Kontakt u prezantuan reportazhet e secilit student dhe njëherësh u komentuan prej tyre.
Përveç studentëve, në këtë veprimtari festive merrnin pjesë edhe gazetarë, studentë e pedagogë të shkencave të komunikimit nga universitete në Tiranë.

Siparin e aktivitetit e çeli drejtoresha e Media Kontaktit, Dr. Jolanda Lila, e cila vuri theksin te rëndësia e këtij trajnimi, që qëndron në dy aspekte kryesore: Së pari, në krijimin e mundësive për çdo të ri që të prekë ëndrrën e pasionin e vet për të punuar në media, edhe kur nuk studion në një degë të tillë së dyti, ky trajnim ka funksion tepër utilitar, sepse mëtuesit për punën e gazetarit, edhe në rastet kur kanë një diplomë universitare për gazetari, sërish shfaqin probleme në anën praktike të punës, prandaj ky trajnim i ka orientuar ata për të marrë disa informacione bazike mbi punën në televizion. “Shpresojmë që certifikata që do të merrni sot, të mos mbetet thjesht si një element më shumë në cv-në tuaj, por urojmë që ta vijoni më tej rrugën e bukur dhe plot sfida të gazetarit, u shpreh në mbyllje të fjalës së saj, Dr. Jolanda Lila.

Një përshëndetje për të pranishmit përcolli edhe profesor Ilirjan Agolli, i cili i përgëzoi të gjithë studentët për reportazhet e realizuara brenda një kohe shumë të shkurtër dhe mbi të gjitha, për larmishmërinë e temave të përzgjedhura, të cilat nxjerrin në pah realitetin shqiptar. Ai i porositi gazetarët e ardhshëm që të jenë së pari njerëz të mirë, sepse duke qenë të tillë, do të mund të bëhen edhe gazetarë të mirë, pasi do të qëndrojnë më pranë problemeve reale të njerëzve.

Aktiviteti vijoi me transmetimin e materialeve filmike, të realizuara nga studentët, të cilat ngjallën shumë interes për të pranishmit në sallë.
Në fund, u lexuan emrat e katërmbëdhjetë studentëve, të cilët morën certifikatën e lëshuar nga institucioni mediatik Radio Kontakt për përfundimin me sukses të trajnimit, në bashkëpunim me Institutin e Karrierës “Proteus”, të drejtuar nga prof. dr. Hamit Boriçi. Certifikatat u shpërndanë, përvecse nga lektorët e trajnimit, Ilirjan Agolli dhe Jolanda Lila, edhe nga regjisori Esat Teliti, prof. as. dr. Viola Isufaj dhe gazetari me shumë përvojë, Murat Gecaj. Aktiviteti përfundoi me impresionet pozitive të studentëve të trajnuar dhe me një kokteil për të gjithë të pranishmit.

ipiccy-collage1

Share Button