Diplomohen studentët e kursit trajnues “Njohuri praktike mbi gazetarinë”

15 studentë janë çertifikuar pas përfundimit me sukses të trajnimit 6-javor mbi fushën e gazetarisë, organizuar nga radio Kontakti, në bashkëpunim me Institutin e Karrierës “Proteus”. Për të tretin vit radhazi radio Kontakti organizoi trajnimin profesional “Njohuri praktike për gazetarinë”, të cilin e ndoqën studentë të talentuar në fushën e medias, që javë pas jave shpalosën formimin dhe njohuritë e tyre në realizimin e proceseve të punës në radio e televizion, duke u ushtruar praktikisht në regjistrime në studio dhe me filmime në kamera.Pas gjashtë javësh intensive me leksione e praktika profesionale mediatike, me 2  qershor 2014, në orën 18.00, në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS) u zhvillua edhe ceremonia përmbyllëse në trajtë festive e ndarjes së certifikate për studentët që u trajnuan për t’u bërë pjesë e medias.  Për realizimin e kursit “Njohuri praktike mbi gazetarinë” bashkëpunoi edhe një tjetër institucion mjaft i rëndësishme në fushën e trajnimeve gazetareske, pikërisht Instituti i Karrierës “Proteus”, ku themeluesi dhe drejtori i këtij Instituti, Prof. Dr. Hamit Borici, përgatiti një pjesë të leksioneve dhe lekturoj në një prej temave të trajnimit.  Gjithashtu, të ftuar specialë të këtij kursi ishin edhe emra të tjerë të gazetarisë si regjisori dhe gazetari Foni Ilia, por edhe eksperti i komunikimit Sanjai Salil, i cili si themelues i Institutit Këshillues për median “MediaGuru”, ndau përvojën e tij për të ardhmen e medias dhe bëri një qasje krahasuese mes realitetit mediatik në vendin e tij të origjinës, Indisë dhe vendeve të tjera ku operonte instituti i tij, si në Dubai, Singapor, etj.

Disa nga temat kryesore të trajnimit përfshinin: Strategji efikase për intervistën e punës në media, etika në media dhe pasqyrimi me objektivitet, raportimi i diversitetit kulturor në media, gazetaria investigative, roli i mjeteve të komunikimit në shoqëri, hartimi dhe leximi i lajmeve në radio, realizimi i intervistës dhe specifikat e reportazhit.  Në këtë veprimtari festive merrnin pjesë drejtues e përfaqësues të medieve dhe institucioneve e shoqatave të ndryshme në vend, si dhe pedagogë e studentë të shkencave të komunikimit nga universitete të shumta në Tiranë. Siparin e aktivitetit e çeli një material filmik me një reportazh informues rreth radio Kontaktit, ku demonstroheshin të dhëna rreth kësaj radioje, që prej fillesave, rreth 17 vjet më parë, e deri në ditët e sotme. Më pas fjalën e mori drejtoresha e radio Kontaktit, Znj. Jolanda Lila, e cila foli për tiparet e trajnimit dhe të veçantat që ofron në raport me trajnimet e tjera që bëhen në Shqipëri, duke e vënë theksin tek praktika profesionale që ushtron secili prej studentëve dhe tek analizimi i materialeve të regjistruara. “Baza metodologjike e funksionimit të kursit trajnues mbështetet tek parimi pedagogjik i studiuesit amerikan Xhon Dju: Të mësosh duke punuar. Vetëm përmes praktikës njeriu arrin të shpërfaqë aftësitë e tij reale dhe të bëhet i dobishëm për shoqërinë”, theksoi ajo.
E veçanta e kësaj ceremonie festive ishte se protaginstë të mbrëmjes ishin vetë studentët, që ishin pjesë e kursit trajnues, të cilët prezantuan dhe koordinuan të gjithë procesin e zhvillimit të aktivitetit, si një shenjë treguese për talentin dhe përkushtimin e tyre profesional. Kurorëzimi i studentëve u bë në fund të takimit, ku për shpërndarjen e certifikatave u ftuan në skenë organizatorë dhe bashkëpunëtorë të këtij trajnimi. Certifikatat e para u shpërndanë nga gazetari i Top Chanel Foni Ilia, i cili përgëzoi organizatorët për nivelin e trajnimit. Më tej, gazetari Halil Rama, theksoi rëndësinë që ka ky lloj trajnimi për të orientuar të rinjtë e talentuar shqiptarë, ndërsa gazetari dhe pedagogu Arben Muka falënderoi studentët për përkushtimin e shpërfaqur dhe i inkuroi ata që ëndrrën e tyre ta vijojnë edhe më tej.  Duke u lexuar emrat e të gjithë studentëve, u shpërndanë certifikatat nga secili prej mysafirëve të ftuar në skenë. Aktiviteti përfundoi me impresionet pozitive të studentëve të trajnuar dhe me një kokteil për të gjithë të pranishmit

Share Button