Detaje tronditëse nga vrasja e aktorit turk, del autopsia e ish të dashurës

Ngjarja tragjike e fundit të gushtit, ku mbeti i vrarë aktori i njohur Vatan Sasmaz në një prej hoteleve luksoze në Beshiktash, nga ish e dashura, Filiz Aker, ka zhvillime të reja tronditëse. Lajmi që shokoi të gjithë botën e ekranit dhe atë të artit në Turqi ka marrë edhe një përgjigje zyrtare nga ekspertiza ligjore.

Kështu, autopsia e ish-modeles Filiz Aker, e cila vrau edhe veten pas vrasjes së Vatan Sasmaz, ka përfunduar. Sipas ekspertëve të Bordit të Ekspertizës Kimike, që kanë shqyrtuar indet dhe mostrat e gjakut të marra nga ish-modelja Filiz Aker, rezulton se gjaku ka pasur përqindje të lartë alkooli, përzier me ilaçe të forta që jepen vetëm në recetat e të sëmurëve psikikë. Një raport i detajuar i autopsisë është dërguar në prokurori për të vijuar hetimet.

Për ish-modelen flitej se prej vitesh kurohej nga probleme të rënduara psikologjike, por dashuria e sëmurë që ushqente për Vatan Sasmaz i kushtoi edhe vetë jetën.

Siç mësohet nga mediat turke, bashkëshortja e 43-vjeçarit Sasmaz, Yasemin Adali, është në javët e fundit të shtatzënisë. Sasmaz dhe Adali u martuan në vitin 2015. Hurriyet.com shkruan se aktori dhe personazhi i njohur televiziv e ka mësuar gjininë e foshnjës në muajin e pestë të shtatzënisë, vetëm një ditë para se të vritej.

Share Button