Dështon sërish seanca, Kosova nuk zgjedh dot kryeparlamentarin e ri

Mungesa e deputetëve të koalicionit PAN ka bërë që edhe përpjekja e dytë për zgjedhjen e kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të dështojë.

Seanca ishte paralajmëruar për në orën 10:00, por bojkoti i deputetëve të PDK-se, AAK-së dhe Nismës detyroi kryesuesin e seancës Adem Mikullovci të kërkonte fillmisht një pauzë prej 15 minutash, e më pas të njoftonte shtyrjen e saj në mungesë të kuorumit.

Vendimi u mor pas konsultimeve të Mikullovcit me dy shefat e grupeve parlamentare të Vetëvendosjes dhe LDK-së. Kryesuesi i seancës organizoi një takim në orën 12:00 me të gjithë krerët e grupeve parlamentare për të gjetur një zgjidhje.

Përpjekja e parë për zgjedhjet e kryetarit dhe kryesisë u mbyll të enjten me vetëm betimin e deputetëve. Seanca nisi në mesditë, por u ndërpre shumë shpejt, pasi koalicioni PDK, AAK dhe Nisma kërkoi më shumë kohë për konsultime të brendshme për të propozuar emrin e kryetarit të Kuvendit. Koalicioni PAN vazhdon që të ketë vetëm një emër në listë, atë të Kadri Veselit, propozim që kundërshtohet nga partitë opozitare si Vetëvendosja dhe LDK.

Share Button