Deputetja Kadaj-Bujupi ndalohet nga Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ndalon deputeten Donika Kadaj-Bujupi, nga radhët e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Policia e Kosovës bazuar në mandatin ligjor që ka është e obliguar në zbatimin e urdhërarresteve të ligjshme të lëshuara nga organet e drejtësisë dhe bazuar në këtë, sot gjatë ditës ka realizuar zbatimin e një urdhërarresti në PKK-Hani i Elezit”, thuhet në një njoftim zyrtar nga Policia e Kosovës.

Sipas policisë Kadaj është njoftuar mbi arsyen e ndalimit, dhe bazuar në urdhëresë e njëjta do të shoqërohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Vlen të potencohet se D.(K.) B., ka bashkëpunuar dhe kooperuar mirë me zyrtarët policorë dhe e njëjta do të shoqërohet në gjykatë, ashtu siç parashihet me urdhëresë”, thuhet nga PK.

Ndërkaq, lidhur me rastin ka reaguar, Lëvizja Vetëvendosje, parti e cila ka thënë se Kadaj është arrestuar në kufi me Maqedoninë. Sipas VV-së arrestimi i saj ka ndodhur për vepra të mëhershme, duke e vlerësuar këtë rast si “skandal i papranueshëm”.

Në një postim në rrjetet sociale, Vetëvendosje thotë se “Ky arrestim, në kohën kur paralajmërohet miratimi i demarkacionit në Kuvend, është provokim i situatës”.

Share Button