Debat mes kandidatëve për kreun e Komisionit Europian

Kandidatët për kreun e Komisionit Europian, zhvilluan një debat të drejtpërdrejtë në Euronews. Debati kishte protagonistë katër kandidatët kryesorë, por përfaqësuesi i së majtës, greku Alexis Tsipras nuk u paraqit. Ata u përplasën për ekonominë, ndikimin e Bashkimit Europian dhe drejtimin për të ardhmen. Zgjedhjet europiane të muajit të ardhshëm pritet që të sjellin avancim të euroskeptikëve dhe partive të së djathtës ekstreme. Martin Schulz i partisë Socialiste Europiane, tha se problemi me zgjedhjet europiane është se qytetarët nuk i marrin ato seriozisht. “Duke qenë kështu, ne kemi më shumë njerëz të tillë edhe në parlament”, tha ai, duke shtuar se për të, si gjerman,  është e paimagjinueshme që një parti naziste të hyjë në parlament dhe të rinisë propagandën për ideologjinë e Hitlerit. Një tjetër pikë e fortë e debatit u bënë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë në lidhje me krizën në Ukrainë. Jean Claude Juncker i Partisë Popullore tha se ata që kritikojnë Europën për një reagim tepër të dobët, dëshirojnë luftë, pasi ajo mbetet alternativa. Guy Verhofstadt i Aleancës së liberalëve dhe demokratëve apeloi BE-në të bëjë më shumë për t’u përballur me presidentin Putin. Kandidatët përmblodhën vizionet e tyre për të ardhmen e Europës. “Jam për bashkimin e ribashkimin e Europës, jam kundër ndasive të reja, kemi mjaftueshëm të tilla”, tha Juncker. Ndërsa Martin Schulz tha se kërkon të rikthejë Drejtësinë dhe barazinë dhe se institucionet europiane kujdesen për qytetarët. “Dua një Europë të qytetarëve e jo një Europë të bankave dhe spekulantëve”, tha ai. Edhe kësaj here, kreu i Komisionit Europian nuk do të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë, por Këshilli Europian do të marrë parasyh rezultatin e zgjedhjeve për parlamentin kur të bëjë zgjedhjen.

Share Button