De Biazi mirënjohës ndaj Shqipërisë për suksesin

Pak ditë më parë italiani i natyralizuar tanimë shqiptar është vlerësuar nga federata italiane me çmimin “Pankina e Artë Speciale”, një trofe shumë i rëndësishëm në planin personal. Gëzimin për këtë trofe De Biasi ka kërkuar ta ndajë edhe me të gjithë ata që e ndihmuan të realizojë me sukses detyrën e tij. Paraditen e së mërkurës trajneri kuqezi është pritur në një ceremoni në selinë e federatës së futbollit, ku i pranishëm ka qenë edhe kreu i saj Armando Duka.

Në fjalën e tij presidenti Duka ka shprehur mirënjohjen për punën e De Biasit dhe ka konfirmuar një mbështetje më të madhe në objektin e radhës të kombëtares, finalet e Evropianit. Shumë i emocionuar, De Biasi është shprehur se suksesi është arritur falë mbështetjes që ka gjetur nga federata e futbollit.

“Faleminderit Shqipërisë, faleminderit federatës që më lanë të punoja lirshëm – deklaroi De Biasi – kishim shpresë të bënim diçka të mirë dhe ja dolëm. Unë kam punuar më shumë presidentë, që të them të vërtetën më janë bërë edhe pengesë në punën time, kurse Duka më ka ndihmuar shumë. Më ka dhënë lirinë dhe mbështejen e duhur për të arritur deri këtu”, deklaroi De Biasi.

Share Button