Çmimin Nobel për Kimi e fitojnë tre shkencëtarë

Tre shkencëtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Britanisë së Madhe dhe Zvicrës janë fitues të Çmimit Nobel në sferën e Kimisë, për zhvillimin e mikroskopisë krio-elektonike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shpërblimi financiar prej nëntë milionë krunave suedeze (rreth 1.1 milionë dollarë) do ta ndajnë Jacques Dubochet, Joachim Frank dhe Richard Henderson.

Që të tre prej tyre u shpërblyen për përparimin e tyre të madh në studimin e pjesëve të vogla të elementeve mbi të cilat bazohet jeta.

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave njoftoi se metoda e tyre, mikroskopia krioelektronike, u mundëson hulumtuesve që të “ngrijnë biomolekulat dhe të vizuelizojnë proceset që asnjëherë më parë nuk i kanë parë”.

Nesër do të shpallet fituesi, ose fituesit e Çmimit Nobel për Letërsi, ndërsa të premten për Paqe.

Çmimi Nobel për Kimi është një nga pesë Çmimet të vendosura sipas testamentit të Alfred Nobel-it në vitin 1895, e që ndahen për kontribut të jashtëzakonshëm në kimi, fizikë, letërsi, fiziologji ose mjekësi dhe për kontributin në paqen botërore.

Share Button