Çfarë tregon bukurshkrimi për personalitetin tuaj

Mënyra sesi u jepni formë fjalëve gjatë kohës që shkruani me shkrim dore, tregon shumë të fshehta për personalitetin tuaj, që nga besimi te vetja deri te shprehja e ndjenjave.

Grafologjia është shkenca që merret me studimin e shkrimit të dorës, veçanërisht kur ka si qëllim zbulimin e karakterit, personalitetit dhe aftësive të një shkrimtari. Mënyra sesi gjithkush shkruan fsheh rreth 5000 të dhëna të ndryshme për personalitetin e tij. Në fushën mjekësore, analizimi i bukurshkrimit mund të përdoret për t’iu referuar gjetjes së një diagnoze të vështirë.

Shkronjat e mëdha 
Kjo nënkupton se jeni person shumë social, që i thoni mendimet tuaja dhe që jepni shumë dashuri ndaj të tjerëve. Shkronjat e mëdha nënkuptojnë gjithashtu se keni besim te vetja dhe se dini të mbroheni.

Shkronjat e mesme 
Nëse shkruani me shkronja që janë të madhësisë së mesme, atëherë përshtateni shpejt dhe jeni i rregullt në gjërat që bëni.

Shkronjat e vogla 
Personat që shkruajnë me shkronja të vogla janë të turpshëm, të tërhequr dhe të përqendruar.

Hapësira mes fjalëve 
Nëse lini shumë hapësirë mes fjalëve, ju pëlqen liria, nuk dëshironi të grupoheni me të tjerët dhe ju pëlqen të jepeni me mish e me shpirt pas gjërave që preferoni. Nëse lini pak hapësirë mes fjalëve, kjo nënkupton se nuk ju pëlqen vetmia dhe nuk mund të rrini pa u grupuar me njerëz të tjerë.

Drejtimi i shkronjave 
Nëse shkronjat tuaja janë të drejta dhe nuk anojnë as nga e majta dhe as nga e djathta, atëherë ju u ruheni emocioneve dhe nuk bini pre e tyre. Jepeni pas aspektit logjik dhe praktik. Nëse shkronjat e bukurshkrimit tuaj anojnë nga e djathta, ju jeni të hapur ndaj eksperiencave të reja dhe preferoni të njihni sa më shumë njerëz.Nëse shkruani me drejtim nga e majta, jeni tipa të mbyllur, të rezervuar dhe ju pëlqen të punoni pa rënë në sy. Nëse jeni mëngjarash dhe shkrimi juaj anon majtas, atëherë jeni tip rebel.

Forma 
Shkronjat e rrumbullakosura tregojnë se jeni tip artistik dhe shumë krijues. Shkronjat e thikta tregojnë se jeni shumë agresiv, inteligjent, kureshtar dhe ju pëlqen t’u shkoni punëve deri në fund. Shkronjat që lidhen me njëra-tjetrën në mënyrë të përsosur janë shenja të një njeriu sistematik, logjik dhe që i merr vendimet me shumë kujdes.

Harku 
Nëse shkronjën “l” e shkruani me një hark të ngushtë, kjo tregon se jeni shumë të vetëpërmbajtur dhe se haseni me shumë tension.

Nëse shkronjën “l” e shkruani me një hark të gjerë, atëherë jeni shumë spontan dhe të qetë, po ashtu arrini ta shprehni vetëbesimin.

Nëse shkronjën “e” e shkruani me hark të ngushtë, jeni person dyshues që nuk zë besë shpejt. Kjo tregon edhe se nuk i shprehni ndjenjat tuaja shpejt.

Nëse “e”-në e shkruani me hark të gjerë, jeni mendjehapur dhe ju pëlqen që të përjetoni sa më shumë përvoja të reja.

Pikësimi 
Edhe vënia e pikës mbi “i” tregon shumë për ju. Nëse e vini pikën në një largësi të madhe, atëherë jeni shumë fantazues. Nëse në vend të pikës, mbi i vini një shenjë që ngjan me presjen, kjo tregon se jeni i paduruar dhe se nuk ju pëlqejnë ata që nuk mësojnë nga gabimet e tyre. Nëse e vini pikën menjëherë pas “i”-së, atëherë jeni shumë të organizuar dhe të saktë në gjërat që bëni.

Kryqëzimi i “t”-së 
Nëse ju pëlqen ta ndani shkronjën “t” në majë të saj, atëherë jeni ambicioz, optimist dhe keni shumë vetëvlerësim. Nëse ndarja është tepër e madhe, kjo tregon se jeni i vendosur, entuziast dhe i mendoni shumë gjërat që ju ndodhin. Nëse e bëni ndarjen e shkronjës në mes të saj, atëherë jeni shumë rehat me veten. Nëse ndarja juaj është e shkurtër, kjo nënkupton se jeni përtacë dhe se nuk keni vendosmëri.

Rrumbullakosja 
Nëse nuk e mbyllni rrethin e shkronjës “o”, atëherë jeni persona që ju pëlqen të flisni, të shoqërueshëm dhe që mbani pak sekrete. Nëse bëni të kundërtën, pra e mbyllni mirë rrethin e shkronjës “o”, kjo nënkupton se ju pëlqen shumë privatësia dhe nuk i ndani ndjenjat tuaja me të tjerët.

Shpejtësia 
Nëse shkruani shpejt, jeni i paduruar, nuk ju pëlqejnë vonesat dhe nuk i doni pranë njerëzit që e shpërdorojnë kohën. Nëse shkruani ngadalë, jeni të mirorganizuar, metodikë dhe vareni vetëm nga vetja.

shkrim

Share Button