Çfarë është dhe nga se shkaktohet trishtimi dimëror?

Trishtimi dimëror është një lloj depresioni që në Hemisferën Veriore ndodh pikërisht në stinën e dimrit. Zakonisht mund të fillojë në vitet e adoleshencës (nuk përjashtohen fëmijët) ose edhe në moshën e rritur dhe prek më shumë gratë sesa burrat. Madje, sipas studimeve të ndryshme, gratë e përjetojnë më fort trishtimin dimëror, kur janë tek të tridhjetat.

Më pas, me kalimin e viteve, simptomat zbehen. Personat që përjetojnë trishtimin dimëror ndiejnë humbje të energjisë, të interesit dhe të përqendrimit, dëshirë për të fjetur më gjatë dhe për të qendruar vetëm, ndiejnë lodhje, shtim të oreksit etj.

Më të rrezikuar janë personat që jetojnë në vendet me dimër të gjatë dhe ekspozohen më pak ndaj diellit. Simptomat shfaqen gradualisht në muajt e fundit të vjeshtës dhe fillimin e muajve të dimrit.

Trishtimi dimëror është karakteristik për vendet nordike, ku ekspozimi ndaj dritës së diellit është më i pakët e shpeshherë i mangët. Sipas të dhënave, këto vende numërojnë përqindjen më të lartë të të prekurve prej tij.

Nga se shkaktohet trishtimi dimëror?

Pjesa më e madhe e studiuesve besojnë se problemi lidhet me mënyrën se si trupi reagon ndaj dritës së diellit. Drita, e cila depërton përmes syrit, shkakton ndryshime në nivelet hormonale të trupit. Ajo shërben për të ndaluar apo frenuar prodhimin e hormonit të quajtur melatonin (të njohur ndryshe si hormoni i gjumit), duke nxitur kështu zgjimin. Ndaj, kur ajo pakësohet, zgjimi bëhet gjithnjë dhe më i vështirë, duke shkaktuar letargji dhe simptoma të depresionit.

Pakësimi i dritës së diellit, duke çrregulluar ciklin gjumë-zgjim, bllokon në të njëjtën kohë prodhimin e serotoninës, hormonit përgjegjës për humorin.

Ndërkaq edhe stresi është një faktor tjetër i rëndësishëm që çon në këtë gjendje.

Share Button