Çertifikohen studentët e kursit “Njohuri praktike mbi gazetarinë”

10 studentë u çertifikuan pas përfundimit me sukses të trajnimit 3-javor në fushën e gazetarisë, organizuar nga Media Kontakti në bashkëpunim me Institutin e Karrierës “Proteus”.

Për të pestin vit radhazi Media Kontakti organizoi trajnimin profesional “Njohuri praktike mbi gazetarinë”, të cilin e ndoqën studentë të talentuar në fushën e medias por jo vetëm. Ata, javë pas jave, shpalosën formimin dhe njohuritë e tyre në realizimin e proçeseve të punës në televizionin Kontakt, duke u ushtruar praktikisht në përdorimin e kamerës, përgatitjen e tekstit të një kronike dhe videomontazhe.

Pas tre javësh intensive me leksione e praktika profesionale mediatike, më 14 maj , në orën 11.00, në mjediset e amfiteatrit të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC) u zhvillua edhe ceremonia përmbyllëse e ndarjes së çertifikatave për studentët që u trajnuan për t’u bërë pjesë e medias.

Për realizimin e kursit “Njohuri praktike mbi gazetarinë” bashkëpunoi edhe një tjetër institucion mjaft i rëndësishme në fushën e trajnimeve gazetareske, pikërisht Instituti i Karrierës “Proteus”. Të ftuar specialë të këtij kursi ishin emra të njohur të gazetarisë si Prof. dr. Hamit Boriçi, gazetari i Zërit të Amerikës Ilirian Agolli dhe personalitete të tjera. Në këtë veprimtari festive merrnin pjesë përfaqësues të mediave të ndryshme në vend, si dhe studentë të shkencave të komunikimit nga universitete të ndryshme në Tiranë.

Aktiviteti u hap me një reportazh informues rreth media Kontaktit, ku demonstroheshin të dhëna rreth kësaj medieje, që prej fillesave, rreth 18 vjet më parë, e deri në ditët e sotme. Në vijim u shfaqën vidiomontazhe të realizuara nga vetë studentët e kursit trajnues, të cilët dëshmuan jo vetëm dëshirën por edhe seriozitetin e tyre për këtë profesion.

Më pas fjalën e mori drejtoresha e radio Kontaktit, Znj. Jolanda Lila, e cila theksoi arsyet kryesore që e bëjnë këtë kurs kaq të veçantë. Sipas saj ky kurs mundëson mësimin nëpërmjet praktikës që është shumë e rëndësishme për këtë profesion. Ndërsa gazetari Ilirjan Agolli shprehu kënaqësinë që pati me studentët gjatë këtij trajnimi dhe vuri në dukje se për një gazetar është shumë e rëndësishme të ketë në fokus njeriun me të gjithë problematikat e tij.

Kurorëzimi i studentëve u bë në fund të takimit, ku për shpërndarjen e çertifikatave u ftuan në skenë organizatorë dhe bashkëpunëtorë të këtij trajnimi, profesor Musa Kraja, anëtari i bordit të radio Kontaktit Esat Teliti, gazetari Ilirian Agolli, gazetare Shpresa Ukcama dhe drejtoresha e media Kontaktit Jolanda Lila, të cilët përgëzuan studentët për punën e tyre gjatë këtij kursi trajnues. Aktiviteti përfundoi me përshtypjet pozitive të studentëve të trajnuar dhe me një kokteil për të gjithë të pranishmit.

DSC_0257 DSC_0114 DSC_0128 DSC_0125 DSC_0248 DSC_0141 DSC_0161 DSC_0168 DSC_0158 DSC_0093 DSC_0230 DSC_0111 DSC_0151

Share Button