Carolyn Miles: Turqia pranoi numrin më të madh të refugjatëve dhe tregoi bujari

Kryetarja e organizatës joqeveritare “Save the Children”, Carolyn Miles, deklaroi se Turqia, e cila deri më sot ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve sirianë, ka bërë një punë të madhe për të ndihmuar njerëzit të cilët braktisën shtëpitë e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Miles duke folur me gazetarin e AA-së u përqendrua në punën e organizatës “Save the Children” lidhur me arsimimin e fëmijëve refugjatë sirianë, program i cili zbatohet në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Turqisë.

Ajo vuri në dukje se 50 për qind të fëmijëve sirianë që janë në vendet fqinje nuk shkojnë në shkollë, dhe kjo vlen edhe për 600.000 fëmijë sirianë të cilët janë në territorin e Turqisë.

“Jemi të fokusuar në arsimim për të parandaluar që fëmijët të punojnë, mundësojmë që fëmijët sërish të shkojnë në shkollë. Konsiderojmë se arsimi është një nga mjetet për të mbrojtur fëmijët”, tha Miles.

Ajo shtoi se fëmijëve që kanë përjetuar bombardime, sulme ajrore dhe dhunë u ofrohet mbështetje psiko-sociale.

“Insistojmë të arsimojmë fëmijë që një kohë të gjatë janë jashtë shkollës, ku në këtë mënyrë fitojnë ndonjë aftësi. Ekzistojnë edhe disa fëmijë të cilët nuk dëshirojnë të kthehen në shkollë. Veçmas fëmijët e moshës mes 12 dhe 16 vjeç, duke marrë parasysh se nuk kanë zhvilluar asnjë aftësi ata kalojnë në depresion, disa prej tyre vendosin edhe për vetëvrasje. Prandaj është me rëndësi që të zhvillojnë ndonjë shkathtësi meqë në këtë mënyrë e kuptojnë se para tyre është ardhmëria”, tha Miles.

Ajo theksoi se ka edhe shumë punë për t’u bërë për fëmijët refugjatë, dhe se organizata “Save the Children” në këtë plan bashkëpunon me Turqinë.

“Turqia është një vend i cili hapi dyert dhe pranoi numrin më të madh të refugjatëve sirianë. Ky vend ka bërë punë të madhe kur është në pyetje ndihma për refugjatët”, shtoi Miles. Drejtoresha e organizatës për Sirinë, Sonia Khush tha se Turqia tregoi bujarinë e saj me atë që hapi dyert për mbi dy milionë refugjatë sirianë. “Kjo është një përgjegjësi e madhe”, tha Khush.

Share Button