Cameron:Të reagojë BE

Në shenjë reflektimi ndaj rezultateve në zgjedhjet e fundit europiane, kryeministri britanik David Cameron, përmes një numri telefonatash gjatë mbrëmjes së kaluar me homologët e vet kryesorë europianë, ka kërkuar që të shfrytëzohet shansi i krijuar pas këtyre zgjedhjeve dhe të bëhet reforma e shumëpërfolur në Bashkimin Europian, për më shumë vende pune dhe rritje më të madhe ekonomike. Ndërhyja e Cameron bëhet në prag të takimit joformal të udhëheqësve më të lartë të BE-së, në Bruksel të martën në mbrëmje, ku do të diskutohet për rezultatet për Parlamentin Europian. Kryeministri britanik do të tentojë të pengojë edhe zgjedhjen, në postin e Presidentit të ri të Komisionit Europian, të ish-kryeministrit të Luksemburgut, Jean Claude  Juncker, një federalist i vjetër. Cameron beson se dhënia e këtij posti një politikani, që kërkon më shumë kompetenca për Brukselin, do të ishte një shuplakë në fytyrën e votuesve europianë, që shprehën pakënaqësinë e tyre me BE-në në zgjedhjet e fundit. Euroskeptikët tashmë kontrollojnë një të tretën e Parlamentin Europian. Cameron ka biseduar me udhëheqësit e Gjermanisë, Lituanisë, Hungarisë, Suedisë, Sllovenisë dhe Irlandës, në prag të samitit të Brukselit.Pritet që, pas këtyre zgjedhjeve, Londra të ashpërsojë akoma më shumë retorikën dhe qëndrimin për çështjen e Europës, për më tepër kur Britania është një vit larg nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërkohë që partia e kryeministrit doli e treta, për herë të parë në historinë e saj politike, në zgjedhjet e fundit europiane

Share Button