Bushati: Shqipëria ka përballë sfida të rëndësishme për integrimin në BE

Gjatë një paneli diskutimi në kuadër të Shkollës Verore Evropiane që organizohet në Kuvendin e Shqipërisë, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, u shpreh se vendi ka përballë disa sfida të rëndësishme, duke shtuar se procesi i integrimit në kuadër të ristrukturimit të institucioneve do të përfshihet brenda një strukture unike.

Bushati theksoi se viti 2018 do të jetë vit vendimtar për Shqipërinë sa i takon procesit të integrimit në BE.

“Vetë BE në pranverën e vitit 2018 do të diskutojë për paketën e zgjerimit dhe në rast të një vendimmarrje për ne shpresojmë që do të jetë pozitive për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Periudha 1 vit e gjysmë përpara do jetë vendimtare sepse në 2019 do të ketë rinovim institucionesh në BE. Dhe kur ka rinovim institucionesh dhe rinovim mandatesh nuk ka domosdoshmërisht një fokus tek ky lloj procesi. Në kuadër të ristrukturimit qeveritar është vendosur që procesi i integrimit evropian të kanalizohet brenda një strukture unike duke u përgatitur për fazën e ardhshme, procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE”, u shpreh ministri i Jashtëm i Shqipërisë

Ndërkohë Shkolla Verore Evropiane synon të identifikojë dhe të angazhojë ekspertë nga të gjitha institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile, mbi procesin e integrimit evropian, të cilët mund të kontribuojnë në procesin e ardhshëm të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Për të dytin vit ajo iu ofron mundësinë dhjetëra pjesëmarrësve, përfaqësues të administratës publike, në nivel qendror dhe lokal, përfaqësues të shoqërisë civile, botës akademike dhe medias, të trajnohen si dhe të bashkëbisedojnë mbi sfidat kryesore të procesit të integrimit.

Share Button