Bushati : Kemi arritur pakt me Greqinë për toponimet

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati bëri me dije se qeveria shqiptare ka arritur në një marrëveshje me Greqinë për çështjen aq shqetësuese të toponimeve. Sipas tij deri në 1 janar të vitit 2015 për emigrantët shqiptarë do aplikohet moratoriumi i aplikuar nga Greqia për Pashkët, ndërsa më pas problemit do i jepet zgjidhje sipas të drejtës ndërkombëtare. Këtu iu referua mënyrës së shkrimit nëpër pasaporta, që pritet të korrigjohet. “Kemi arritur në një marrëveshje me Venizelos, që vjen si pasojë e disa diskutimeve të filluara që nga ditët e para të qeverisë lidhur me çështjen e toponimeve për 150 mijë bashkëqytetarët tanë që jetojnë në Greqi. Kjo është një çështje e karakterit teknik dhe marrëveshja i shërben të dyja palëve. Rruga më e sigurt është referenca në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Konventës së Kombeve të Bashkuara. Shqipëria dhe Greqia kanë vendosur një afat, 1 janar 2015 për të mundësuar lëvizje të lirë të qytetarëve në përputhje me moratoriumin ekzistues të qeverisë greke si në rastin e Pashkëve që do shtrihet deri në janar”.  “Të dy qeveritë do ndërmarrin masa të nevojshme ligjore dhe institucionale në mënyrë që kjo çështje ta gjejë të adresuar sipas parimeve të së drejtës. Do bëjmë korrektim të mënyrës si do shkruhen zonat gjeografike në pasaporta, do i japim një zgjidhje të unifikuar”, tha Bushati më tej.

Share Button