Budistët fanatikë sulmuan muslimanët e Arakanit në Sri Lanka

Muslimanët e Arakanit të cilët në muajin prill kanë ikur nga sulmet në Mianmar dhe janë strehuar në Sri Lankë këtu i janë ekspozuar dhunës së budistëve fanatikë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Policisë së Sri Lankës, Ruwan Gunasekara në deklaratën e tij tha se një grup i budistëve fanatikë kanë mbajtur protestë përpara shtëpisë nën menaxhimin e Kombeve të Bashkuara (OKB) në lagjet periferike të kryeqytetit Kolombo, ku po strehohen muslimanët e Arakanit.

Gunasekara bëri të ditur se protestuesit kërkonin që muslimanët e Arakanit të cilët i quanin “terroristë” të dërgohen në Mianmar dhe se kanë sulmuar shtëpinë ku ata banonin. Më pas ai njoftoi se 30 muslimanë të Arakanit të cilët strehoheshin në këtë shtëpi nën mbrojtje të policisë janë transferuar në një vend tjetër të sigurtë.

Duke vënë në dukje se muslimanët e Arakanit në muajin prill ishin ndaluar nga Forcat Detare kur ata ishin duke u përpjekur të hyjnë në Sri Lankë nëpërmjet rrugëve ilegale, Gunasekara tha se këta persona me vendim të gjykatës janë vendosur në shtëpinë nën menaxhimin e OKB-së.

Në sulmet e ushtrisë së Mianmarit të kryera në Arakan nën pretekstin e luftimeve me militantët e armatosur, mijëra muslimanë janë vrarë që nga 25 gushti. Për shkak të mos lejimit të hyrjes ose daljes nga zona, është e pamundur të përcaktohet bilanci i saktë i civilëve të vrarë.

Në sulmet e ushtrisë dhe nacionalistëve budistë, rreth 200 fshatra u dogjën ose u shkatërruan. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit po përpiqen të arratisen nga zonat e sulmit në mënyrë që të shpëtojnë. Civilët që ikin nga Mianmari, duke kaluar në zonat malore, lumin Naf ose përmes detit përpiqen të arrijnë në Bangladesh.

Që nga 25 gushti në Bangladesh kanë shkuar 480 mijë muslimanë të Arakanit.

Share Button