Breedlove: Rusia nuk do të pushtojë Ukrainën

Komandanti i lartë ushtarak i NATO-s, gjenerali Philip Breedlove është shprehur se ai nuk mendon se Rusia do të pushtojë Ukrainën, duke shtuar se Kremlini ka mënyra të tjera për të arritur qëllimet e tij.

Gjenerali Breedlove ka deklaruar se ai mendon se Presidenti rus Vladimir Putin do të vazhdojë të bëjë atë që po bën tani, krijimin e trazirave, diskreditimin e qeverisë ukrainase dhe nxitjen e lëvizjes separatiste.

Ai parashikoi se Moska do të mbajë nën kontroll Ukrainën lindore pa dërguar trupat e rregullta përtej kufirit.

Komandanti i NATO-s tha se është i sigurt se forcat speciale ruse janë të pranishme në Ukrainë por nuk është e qartë nëse ato qëlluan me raketa tre helikopterë ukrainas javën e kaluar.

Duke marrë parasysh dhunën në rritje në Ukrainë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon i tha agjencisë franceze të lajmeve se ai do të ofrojë veten si ndërmjetës para se situata të dalë jashtë kontrollit.

Share Button