Brazil, policët futen në grevë

Në më pak se një muaj para fillimit të kampionatit Botëror në Brazil, siguria në këtë vend duket se është në rrezik. Me mijëra policë në 14 qytete janë futur në një grevë 1-ditore për paga më të larta. Siguria në këto qytetet të Brazilit është duke u ruajtur nga policia ushtarake dhe ajo federale, të cilat janë shprehur se kanë ankesa lidhur me pagën, por nuk do të futen në grevë deri në fund të Kupës së Botës. Autoritetet janë shprehur se janë marrë të gjitha masat për një mbarëvajtje sa më të mirë të këtij kompeticioni. Rreth 20 mijë persona do të kujdesen për sigurinë gjatë zhvillimit të finales më 13 korrik në Rio de Janeiro, duke përfshirë policinë ushtarake dhe ushtrinë. Në një kohë kur prania e tyre në rrugë për të luftuar krimin dhe kryesisht trafikimin e lëndëve narkotike, është më e domosdoshme se kurrë, mijëra policë kërkojnë rritje të pagës deri në 80%. Policia ushtarake, e cila patrullon rrugët dhe policia federale, e cila është përgjegjëse për kufijtë dhe aeroportet, thonë se kanë ankesat dhe kërkesat e tyre por gjithsesi janë shprehur se do të futen në një grevë të përgjithshme sapo të përfundojë kampionati botëror. “Aktualisht nuk ka rrezik për një grevë të përgjithshme në Rio de Janeiro, por edhe nëse diçka e tillë do të ndodh ne jemi të përgatitur”, ka thënë Roberto Alzir, sekretari për eventet e mëdha në Brazil. Shpesh herë përgatitjet e Brazilit për të mirëpritur miliona turistë nga e gjithë bota, janë kritikuar nga organizuesit e Kupës së Botës, FIFA. Të gjitha përgatitjet, mes të cilave edhe stadiumet, duhet të kishin përfunduar në muajin dhjetor të 2013-ës por në disa prej tyre ende vijojnë punimet. Ndërkaq gjatë ditës së djeshme janë shpallur edhe planet për sigurinë në vend përgjatë kohës që do të zhvillohet kampionati më i rëndësishëm në futboll. Mbi 20 mijë persona, policë ushtarakë dhe ushtarë do të sigurojnë rendin dhe qeteësinë në vend për gati një muaj.

Share Button