Botohet libri “Metoda letrare” i Profesor Agim Vincës

Libri “Metoda letrare” i Profesor Agim Vincës, që doli nga shtypi këto ditë, është libri i parë në hapësirën shqiptare që merret me trajtimin e metodave letrare të shekullit XX, nga metoda klasike pozitiviste e deri te ato poststrukturaliste.

Ky libër është një sintezë e teorive më kryesore të kësaj kohe. Autori i librit, në mes tjerash, synon t’u japë përgjigje pyetjeve të tilla, si: Ç’është letërsia? Cili është raporti i saj me botën, me autorin, lexuesin? Ç’është teksti letrar dhe si funksionon ai? Ç’është kodi, mesazhi, vlera, kuptimi, receptimi? Në ç’raport qëndron teksti letrar me tekstet tjera, letrare e joletrare, po edhe me normat dhe konvencat kulturore të një kohe? Si krijohet vepra letrare dhe si komunikon ajo nëpër kohë? Ku fillon dhe ku merr fund leximi? Ç’është “vizioni mbi botën” dhe si sendërtohet ai në veprat e shkrimtarëve të mëdhenj? A ka marrë fund njeriu dhe a ka filluar fundi i historisë?

Pas Hyrjes, libri hapet me kapitullin “Mbi nocionin metodë dhe metodologji e studimit të letërsisë”, pastaj vazhdon me kapitujt: “Lansoni dhe metoda historiko-letrare”, “Metoda psikanalitike ose kritika dhe klinika”, “Formalizmi rus”, “Kritika e re anglo-amerikane (Neë Criticism)”, “Shkolla strukturale e Pragës”, “Kritika fenomenologjike”, “Metoda sociologjike dhe marksiste”, “Strukturalizmi dhe semiologjia” etj.
Ky libër u dedikohet specialistëve të letërsisë, por, falë gjuhës së qartë dhe stilit të rrjedhshëm të autorit, mund të lexohet edhe nga një rreth më i gjerë lexuesish.

Share Button