Qytetarët në Bosnje heqin dorë nga festimi i Vitit të Ri, paratë për shërimin e fëmijës me tumor

Vendimi i njeriut të parë të një qyteti të vogël në Bosnjë që paratë e destinuara për festimin publik të Vitit të ri të përdoren për trajtimin e një fëmije të sëmurë rëndë, ka tërhequr shumë vëmendjen e publikut si në vend ashtu edhe jashtë.

Në fund, propozimi është publikuar në media, dhe shumë shpejtë është bërë një projekt i vërtetë rajonal humanitar. Paratë që do të shpenzoheshin për festimin e Vitit të Ri, Komuna e Kakanj do t’i ridestinojë në llogarinë bankare të një djali 7-vjeçar që vuan nga një tumor në tru.

Reagimi i publikut ndaj këtij lajmi ishte i menjëhershëm. Të gjitha paratë e nevojshme për operim, që kapin një shifër pothuajse të paimagjinueshme prej 130,000 markash (në Boanjë ende flasim me marka që nga koha kur kjo monedhë ishte dominante në qarkullim në vendet e ish-Jugosllavi, janë mbledhur brenda 24 orëve, njofton N1.

Shembulli i qytetit Kakanj jep shpresën që, pavarësisht faktit se njerëzit janë ngarkuar me problemet e kohës në të cilën ata jetojnë, ende nuk e kanë humbur ndjenjën për të bërë vepra të mira.

Kryetari i Komunës së Kakanj, Nermin Mandra, njeriu, veprimi i pazakontë i të cilit shkaktoi një përgjigje të menjëhershme tek publiku, pajtohet me këtë dhe thekson se paratë për festimin e Vitit të Ri ishin vetëm një shumë e vogël e sasisë që kërkohej.

“Bëhet fjalë për një shumë prej 8.000 markash, por që ne e dinim se trajtimi kapte koston prej 130,000 markash. Ajo që ka pasuar, ishte përfshirja e të gjithë fëmijëve në shkolla dhe vullnetarëve në rrugë, sidomos biznesmenëve tanë”, thotë Mandra.

Edin Bjelopoljak nga Shoqata e Punëdhënësve të Komunës së Kakanj përshkruan se si papritur është mbledhur e gjithë shuma e të hollave për trajtimin e fëmijës së sëmurë.

“Shifra prej 100.000 markash është mbledhur brenda 24 orëve. Sigurisht që nuk është e gjitha, aksioni ka filluar në mënyrë spontane. Motor për gjithë këtë iniciativë janë rrjetet sociale dhe përfshirja e pushtetit lokal, e cila është përgjigjur në mënyrë fenomenale”, tha Bjelopoljak.

Qytetarët e Kakanjit, të cilët i kanë dhënë publicitet këtij veprimi humanitar përmes rrjeteve sociale, nuk e fshehin ngazëllimin me një reagimi të këtillë nga ana e kryetarit të komunës. Lajmi për këtë histori njerëzore të qytetit Kakanj gjatë natës është përhapur në të gjithë botën.

Në mënyrë domethënëse, kjo mbështetje nuk ka mbetur vetëm thjeshtë në fjalë.

“Ka pasur pagesa nga rajoni, Europa dhe nga Amerika e largët. Pra, në një gjest human ka bashkuar gjithë rajonin”, thotë kryetari i Kakanjit, Nermin Mandra.

Në orët e pasdites, në Kakanj u njoftua se janë grumbulluar fondet e nevojshme për operimin e fëmijës së sëmurë. Mesazhi nga ky qytet nuk është vetëm për humanizëm.

Kjo është edhe një shembull i shpenzimit të përgjegjshëm të parasë publike, por edhe leksion se një jetë është më e vlefshme sesa fishekzjarret dhe koncertet e shtrenjta. /tesheshi.com/

Share Button