Bob Geldof do të rikthejë dekoratën që ndan me Suu Kyi

Këngëtari irlandez, Bob Geldof, ka njoftuar se do të rikthejë çmimin e “Dekoratës së Lirisë së Dublinit” me arsyetimin se nuk dëshiron të ndajë të njëjtin çmim me ministren e jashtme dhe drejtuesen e shtetit të Mianmarit, Aung San Suu Kyi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lidhje me Aung San Suu Kyi, në një deklaratë me shkrim Geldof është shprehur se “Lidhja e saj me qytetin tonë na turpëron të gjithëve. Ne nuk duhet të kemi asnjë punë me atë. Ne atë e kemi nderuar, ndërsa ajo na turpëron.”
Pasi ka bërë të ditur se do të rikthejë çmimin e “Dekoratës së Lirisë së Dublinit” i cili i është dhënë edhe Aung San Suu Kyi, këngëtari Geldof ka bërë vlerësimin se “Nuk dëshiroj aspak të kem lidhje me një person që ka lënë muslimanët e Arakanit të përballen me spastrim etnik.”

Ndër të tjera Geldof ka shtuar se ai mund ta pranojë përsëri këtë dekoratë nëse Këshilli i Bashkisë së Dublinit ia anulon dekoratën Suu Kyi.
Edhe Këshilli i Bashkisë së Oxfordit muajin e kaluar kishte vendosur t’ia rimerrte “Dekoratën e Lirisë Oxford”, dhënë Aung San Suu Kyi. Gjithashtu edhe portreti i Suu Kyi që ekspozohej në Universitetin Oxford ku ajo ka qenë studente gjatë viteve 1964-1967 u vendos në depo pasi u hoq nga vendi ku ekspozohej.

Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti e deri tani si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Shumica e afërsisht 2 milionë muslimanëve të Arakanit të cilët që prej vitit 1970 përballen me sulme sistematike etnike në Mianmar janë strehuar në vendet fqinje.

Share Button