Bisedime për unitet kombëtar në Ukrainë

Ukraina filloi dje bisedimet për unitet kombëtar pa pjesëmarrjen e separatistëve pro-rusë, të cilët kërkojnë autonomi nga Kievi në pjesën lindore dhe juglindore të vendit.

Në komentet e para, Presidenti i përkohëshëm Oleksandr Turchynov tha se qeveria e tij është gati për dialog por ai këmbënguli se Kievi nuk do të diskutojë me separatistët që kanë zaptuar ndërtesat qeveritare pranë kufirit me Rusinë.

Bisedimet, të cilat u hapën 11 ditë para zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, zhvillohen në kuadër të planit të mbështetur nga Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë.

Analistët thonë se përjashtimi i separatistëve vë në pikëpyetje efektivitetin e bisedimeve për të qetësuar tensionet që kërcënojnë të përçajnë vendin.

Separatistët, të cilët shpallën sovranitetin në dy rajonet lindore këtë javë, i hodhën poshtë bisedimet e Kievit.

Ndërkaq udhëheqësi i kryengritësve Denis Pushilin tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se bisedime të kësaj natyre duhet të zhvillohen në lindje të vendit.

Share Button