Bisedime mes Rusisë dhe Ukrainës

Ministria e Jashtme e Ukrainës njoftoi arritjen e një mirëkuptim të ndërsjelltë me Rusinë mbi fazat kryesore të një plani paqeje për rajonet lindore të vendit. Në deklaratë,drejtuesit e kësaj ministrie nuk dhanë hollësi të tjera, duke sqaruar vetëm se grupi i kontaktit ka rënë dakord të vazhdojë bisedimet që kanë për qëllim fundin e konfliktit në Luhansk e Donetsk. Pohimet u bënë pas ditës së dytë të negociatave në Kiev të ndërmjetësuara nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë.  Bisedimet pasojnë një takim ballë për ballë javën e kaluar mes presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit të ri të Ukrainës Petro Poroshenko, kontakti i parë i nivelit të lartë mes dy qeverive që kur Rusia e aneksoi Gadishullin e Krimesë në mars. Shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov mendon se Kievi dhe Bashkimi Europian duhet të punojnë në mënyrë më konstruktive për t’i dhënë fund krizës në Ukrainë. “Federata Ruse në mënyrë të përsëritur i ka ofruar kolegëve europianë dhe kolegëve ukrainas të mblidhen të gjithë bashkë për të parë si duhet vepruar, jo për ta shtrënguar Ukrainën të kthehet nga njëri krah apo nga tjetri, por për të harmonizuar procesin e tregtisë së lirë me unionin rus ku ukraina mund të donte të aderonte në kontekstin e bashkëpunimit me Bashkimin Europian”, thotë Lavrov. Ministri i Jashtëm rus shtoi se çdo ekspansion i Nato-s apo grumbullimi i trupave në kufijtë e Rusisë është kundër-produktiv. “Përpjekja artificiale për të vazhduar shtrirjen e Nato-s në lindje e për t’i zhvendosur strukturat e saj ushtarake në afërsi të kufirit, nuk i shërben aspak qetësimit të situatës”, shprehet kryediplomati rus.
Sipas një zyrtari rus, Ukraina dhe Rusia po zhvillojnë edhe takime mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth gazit natyror, pasi Moska kërcënoi se do të ndërpresë furnizimet nëse Kievi nuk paguan borxhet.

Share Button