Bien eksportet kineze

Eksportet dhe importet kineze kanë pësuar një rënie të shpejtë gjatë muajit mars, duke shtuar edhe më shumë të dhënat për një ngadalësim në ekonominë e dytë më të madhe të botës. Eksportet ranë me 6.6 % krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa importet me 11.3 %. Bëhet fjalë për të dytin vit radhazi që shënon një rënie të tillë, në shkurt eksportet ranë me 18.1 për qind. E kjo përbën të parën herë që nga 2009. Në shkurt, ekspertët thanë se eksportet ranë për shkak të kërkesës së ulët të periudhës së pushimeve të vitit të ri hënor, që solli mbylljen e shumë bizneseve dhe fabrikave. Kështu që në mars duhej të kishte një rritje si në eksporte ashtu edhe në importe. Këto të dhëna vijnë në një kohë që Banka Botërore e shkurtoi në 7.6 % parashikimin e rritjes ekonomike të Kinës për këtë vit. “Në një këndëvështrim më të gjerë, përmirësimi i kushteve në ekonomitë e zhvilluara duhet të mbështesin eksportet kineze”, thonë ekspertët e Capital Economics. Ata presin, që rritja e importeve të mbetet e ulët për shkak të shkurtimit të investimeve.
Javën e kaluar, autoritetet e Pekinit njoftuan një paketë të re për të nxitur rritjen me investime në infrastrukturën hekurudhore dhe ulje të taksave për bizneset e vogla.

Share Button