Bie Qeveria në Kosovë, vendi shkon në zgjedhje të reja

Kuvendi i Republikës së Kosovës me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenim votoi për mocionin e mosbesimit të Qeverisë, me çka vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga grupet parlamentare opozitare Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja “Vetëvendosje”, mori mbështetje edhe nga partia në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Ndërkaq kundër saj votoi partia në koalicionin qeverisës Lidhja Demokratike e Kosovës, ku si rezultat i saj, për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës votuan 78 deputetë pro, 34 kundër dhe 3 abstenuan nga 115 deputetë të pranishëm. Me këtë Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, i cili paraqiti qëndrimin e Qeverisë lidhur me mocionin e mosbesimit tha se ky mocion është një pampflet politik dhe se nuk ka asnjë bazë argumentuese. Mustafa tha se kjo është një tendencë që dëmet e qeverive të kaluara t’i mvishen kësaj qeverie.

“Vlerësoj se peticioni ka për pasojë destabilizimin e vendit. Përmes krijimit të mosbesimit në institucione dhe krijimit të vakumit institucional dhe po ashtu ka për qëllim fshehjen e adresave përgjegjëse për afera të dëmshme korruptive dhe dëmet shumë milionëshe të parasë publike që i janë shkaktuar këtij vendi”, tha Mustafa.

Ai foli edhe për të arriturat e kësaj Qeverie, ku përmendi se janë arritur 94 kritere prej 95 të tyre për liberalizimin e vizave, përveç miratimit të marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Sipas tij, Kosova është vendi me norma më të larta të rritjes ekonomike në rajon, me policinë më të mirë në rajon dhe me sukseset më të mëdha kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të mundshmëm, si dhe të menaxhimit të migrimit.

Mustafa këtu përmendi edhe arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), Trepçës dhe të Investimeve trategjike duke thënë se kjo qeveri e ka kthyer timonin ekonomik të këtij vendi drejt Turqisë dhe vendeve perëndimore.

Ai tha se kjo Qeveri ka trashëguar borxhet e qeverisjeve të mëparshme në shumë prej 140 milionë eurove, dhe se tani i kanë plotësuar ato borxhe, duke e rritur buxhetin për 400 milionë gjatë këtyre dy viteve.

Gjatë fjalimit të saj shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën Valdete Bajrami, e cila prezantoni mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Ajo tha se e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo gjendje krize janë zgjedhjet e parakohshme dhe demokratike.

Bajrami tha se arsyet që këtij kabineti qeveritar duhet t’i ndërpritet mandati janë “Marrëveshja e nënshkruar në Bruksel, konkretisht marrëveshja e bashkësisë së komunave me shumicë serbe doli të jetë në 23 nene në kundërshtim me frymën kushtetuese të Kosovës. Kështu e ka konstatuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, mosfunksionimi i Kuvendit dhe Qeverisë, këtë e kemi parë shumë herë dhe së fundmi edhe këtë ditë. Mosfunksionimi i institucioneve, ngecja në liberalizim, kapja e sistemit të drejtësisë, moszhvillimi ekonomik dhe mungesa e investimeve”.

Kurse shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti kritikoi partnerin e koalicionit, përkatësisht kryeministrin Isa Mustafa, duke theksuar se ai sot do të duhej të ishte përfaqësues i koalicionit qeverisës dhe kryeministër i gjithë qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës, e jo t’i prezantojë të arriturat e bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas tij, arsyeja e këtij mocioni është ngecja evidente në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.

Duke theksuar se PDK është përkrahës i vullnetit të popullit të Kosovës, Pajaziti tha se “Vullneti i PDK-së është në harmoni me kërkesat e qytetarëve dhe ne jemi unik në qëndrimet tona si deputetë ashtu edhe si organe drejtuese të PDK-së. Andaj sot i ftoj deputetët që ta bartin këtë vullnet që është vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq, edhe shefat e grupeve tjera parlamentare të partive opozitare, AAK, Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje bënë të ditur se do të votojnë pro mocionit të mosbesimit të Qeverisë së Kosovës.
Ndryshe, në muajin dhjetor të vitit 2014 me 73 vota pro, 38 kundër dhe 2 abstenime, Kuvendi i Kosovës zgjodhi qeverinë e re me kryeministër Isa Mustafën. Qeveria e re e Kosovës ishte formuar mbi bazën e marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, së cilës i ishte bashkangjitur edhe Lista Serbe.

Me votimin e mocionit për mosbesimin e kësaj qeverisjeje, sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas rënies së Qeverisë ose vetshpërbërjes së Kuvendit.

Share Button