Bie orteku në Everest, 12 udhërrëfyes humbasin jetën

12 udhërrëfyes raportohet të kenë vdekur pas rënies së një orteku në malin Everest. Orteku ra në një zonë të njohur si “fusha e kokoshkave”, pak më sipër kampit bazë të Everestit, në një lartësi prej 5.800 metrash. Një zyrtar lokal ka deklaruar se katër trupa janë gjetur deri tani, ndërkohë që po kërkohet për të tjerët duke gërmuar dëborën. Zyrtari i Ministrisë së Turizmit ka thënë gjithashtu se, tre helikopterë janë dërguar në zonë për të ndihmuar në operacionet në fjalë. Udhërrëfyesit ishin ngjitur në rrëpirat e malit në mëngjes për të vendosur litarë për alpinistët dhe për të përgatitur rrugën për turistët kur orteku vërshoi.  Përveç viktimave, një numër i pacaktuar personash të tjerë konsiderohen të zhdukur, ka njoftuar më tej zyrtari. Everesti nis të popullohet përpara sezonit të pikut kur njerëz nga e gjithë bota mblidhen për të kapur majën 8.850 metra të lartë. Mbi 3 mijë vetë e kanë ngjitur malin që kur këtë sipërmarrje e kryen alpinistët Edmund Hillary dhe Tenzing Norgay në vitin 1953. Por edhe shumë të tjerë kanë vdekur në përpjekje për ta arritur atë. I vendosur mes Nepalit dhe Kinës, mali më i lartë në botë ka një lartësi prej 8.848 metrash.

 

Share Button