Biden telefonon Yatsenyuk

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, para marrëveshjes paraprake të Kievit me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, thuhet se zoti Biden ”ka shprehur mbështetje për finalizimin e marrëveshjes sa më shpejtë që të jetë e mundshme”.
Të enjten, presidenti amerikan, Barack Obama,  ka nënshkruar legjislacionin me të cilin Ukrainës i jepet  ndihmë në vlerë prej 1 miliard dollarësh. FMN ka premtuar muajin e kaluar një kredi prej 18 miliardë dollarësh për Ukrainën. Por, dhënia e kredisë kërkon edhe reforma strukturore, për të cilat Ukraina është shprehur e përkushtuar për t’i ndërmarrë.

Pritet që kjo kredi  ta ndihmojë Kievin për ripërtritjen e ekonomisë e cila ishte përkeqësuar pas protestave tre muajshe kundër qeverisë dhe aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë. Në bisedën telefonike, zëvendës presidenti amerikan, Joe Biden, poashtu, ka ”theksuar rëndësinë e përmirësimit të sigurisë energjetike të Ukrainës” dhe tha se i ka mirëpritur ”përgatitjet për zgjedhje të lira dhe korrekte” presidenciale më 25 maj.

Share Button