Berlusconi dënohet me shërbim ndaj të moshuarve

Ish-kryeministri Italian Silvio Berlusconi do të jetë një herë në javë, për katër orë resht në shërbim të të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar në një azil të fondacionit Sacra Famiglia. Dënimi i Silvio Berluskonit me punë në shërbim të komunitetit do të zgjasë një vit. Ky ishte vendimi i Gjykatës së Milanos në procesin gjyqësor të ish-kryeministrit italian për evazion fiskal. Ndëshkimi alternativ për “Kavaljerin” do të ishte arresti shtëpiak. Akuzat ndaj miliarderit 77-vjeçar lidheshin me parregullsitë në blerjen e të drejtave televizive të grupit të tij Mediaset në vitet 1990. Arsyeja përse Berluskoni nuk u dërgua prapa hekurave duhet kërkuar tek sistemi ligjor i vendit, i cili nuk është shumë i ashpër me personat mbi 70 vjeç.
Vendimi i gjykatës i ndalon ndër të tjera ish-kreut të ekzekutivit takimet me individë të cilët kanë precedentë penalë, masë kjo që prek të paktën njërin prej ndihmësve të ngushtë të tij.

Share Button