Berat, zbulohet qyteza 1400- vjeçare gjatë punimeve të TAP

Një qytezë e panjohur antike e shekullit të VI të erës sonë është zbuluar mbi lumin Osum në Kodrat e Ullinjve në Berat.Zbulimet kanë dalë në dritë gjatë punimeve për gazsjellësin e TAP.
Vetë TAP ka deklaruar për Report TV zbulimet e reja, që konsistojnë me daljen në sipërfaqe të tokës të gjurmëve të reja arkeologjike të panjohura më parë.

Në sitin e sapozbuluar arkeologjik janë vënë re disa shtresa të hershme.Shtresat më të të hershme janë ato të themeleve të qytetit që datojnë nga shekulli VI pas Krishtit.
Zbulimi është bërë shumë pranë qytetit të Beratit, në fshatin Fushë-Peshtan. Ky sit i vogël arkeologjik ku vihen re qartë shenjat e një vendbanimi hershëm i 14 shekujve më parë ka qenë shtrirë mbi lumin Osum në kodrat e ullinjve.

Objektet e dala në dritë ruajnë shenjat e një qyteze të vogël të antikitetit të vonë.Shenjat e tjera të këtij zbulimi tregojnë se ky vend është banuar në shtrirje të gjerë kohore, ndërsa faza më e hershme e këtij qyteti të lashtë shënohet në fillimet e shekullit të VI të erës sonë.
TAP njofton për Report TV se nga zbulimet e bëra ka dalë në sipërfaqe një kompleksitet strukturash ndërtimore, por edhe disa nga rrënojat e institucioneve me karakter publik, siç është objekti religjioz i kapelës së një kishe të antikitetit të vonë, apo më tej një objekt tjetër me natyrë publike, siç është banja që i përket një faze më të vonë”.
Ky është një nga sitet më të mëdha e më komplekse që ka ndodhur në korridorin e ndërtimit të gazsjellësit TAP në zonën e Beratit.

Share Button