BE bën thirrje për mbrojtjen e civilëve në Siri

Bashkimi Evropian (BE) u bëri thirrje të gjitha palëve për të mbrojtur civilët në Siri duke vënë në dukje se numri i civilëve që kanë humbur jetën në dy javët e fundit është më i larti në vitin aktual, raporton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë, Federica Mogherini në një deklaratë të përbashkët me Komisionerin e BE-së Përgjegjës për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Christos Stylianides ka tërhequr vëmendjen se në veri të Sirisë kanë humbur jetën qindra persona për shkak të sulmeve ajrore intentisive të ndërmarra kryesisht që nga 19 shtatori në Idlib, Halep dhe Hama.

Në deklaratën ku vihet theksi se numri i personave të vrarë në muajin e kaluar është më i larti për këtë vit thuhet se në mesin e të vrarëve krahas fëmijëve dhe grave ka edhe punonjës të ndihmave.

– “Ata që shkelin të drejtën ndërkombëtare nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”

Ndër të tjera në deklaratën thuhet se kjo është një shkelje e qartë e të drejtës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. “BE u bën thirrje të gjitha palëve në konflikt për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën në përputhje me Ligjin e Luftës Ndërkombëtare. BE-ja do të veprojë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare për të siguruar që ata që me dashje shkelin Ligjin Ndërkombëtar të Luftës të mos mbeten pa u ndëshkuar”.

Gjithashtu në deklaratë u bëhet thirrje të gjitha palëve që të sigurojnë që organizatat humanitare të mund të kryejnë aktivitetet e tyre pa kufizime.

Më tej theksohet se si pasojë e sulmeve të ndërmarra në kohët e fundit janë dëmtuar dhe shkatërruar në mënyrë serioze spitalet dhe infrastrukturat e tjera në veri të Sirisë, ku si pasojë disa nga organizatat kanë qenë të detyruar t’i japin fund aktiviteteve të tyre në rajon.

Rrjeti sirian për të drejtat e njeriut (SNHR), në një raport të tij dje deklaroi se në sulmet e kryera nga palët në konflikt në Siri në muajin shtator kanë humbur jetën të paktën 912 civilë nga të cilët 200 fëmijë dhe 144 gra.

Share Button