Belgjikë, protestë kundër rritjes së orëve të punës

Planet e qeverisë belge të qendrës së djathtë për të shtuar orët javore të punës dhe për të hequr dorë nga rritja e premtuar e pagave, kanë nxjerrë në rrugët e Brukselit dhjetëra mijëra punonjës.

Qytetarë të veshur me të gjelbër apo të kuqe, sipas sindikatave përkatëse, marshuan drejt qendrës, nga jugu e veriu, në protestën e katërt në dy vite kundër qeverisë. Si pasojë e manifestimit u mbyllën disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit belg.

Në muajin korrik, qeveria tha se kishte planifikuar të lejonte zgjatjen e javës së punës deri në 45 orë për periudha të kufizuara, një lëvizje kjo që sipas sindikatave cënon të drejtat e punonjësve.

Aktualisht, koha maksimale e orëve të punës është 38 orë në javë. Qeveria po konsideron gjithashtu për herë të dytë anashkalimin e një rritjeje automatike të pagave, në mënyrë që ta bëjë Belgjikën më konkurruese.

Share Button