BE, takim për Ukrainën

Ministrat e Jashtëm europianë u takuan për të diskutuar krizën në Ukrainë, ku autoritetet kanë nisur operacionin kundër separatistëve pro-rusë. Në samitin e Këshillit të Europës në Vjenë, ku mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati, u fol për t’i gjetur zgjidhje situatës në lindje të Ukrainës, si dhe për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Deshchytsia, dhe homologu i tij, Sergei Lavrov, u takuan shkurtimisht të hënën, përpara takimit zyrtar të së martës.“Nuk mund të presësh mrekulli nga konferenca – tha ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, – sepse nuk do të ketë. Shpresojmë të ketë mbështetje nga të gjithë vendet për zgjedhje të lira presidenciale më 25 Maj, sepse ky është një hap i drejtpërdrejtë për stabilizimin e vendit”. Moska i ka cilësuar absurde planet për zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë. Presidenti francez Francois Hollande paralajmëroi se do të ketë “kaos dhe rrezik për luftë civilë, nëse zgjedhjet nuk zhvillohen”. Takimi i Vjenës vjen disa ditë pasi forcat e sigurisë së Ukrainës kanë nisur operacionin “anti-terror” në lindje të vendit. Ministri i Brendshëm Arsen Avakov tha se katër ushtarë humbën jetën dhe rreth 30 separatistë u vranë pranë Slovianskut. Sipas tij, janë rreth 800 militantë të trajnuar mirë, me armë të kalibrit të lartë dhe mortaja, që fshihen mes civilëve në qytet.

Share Button