BE gati për ndryshimin e politikave

Liderët e BE-së kanë rënë dakord për të rishqyrtuar axhendën e bllokut pasi “votuesit dërguan një mesazh të fuqishëm”, ka deklaruar presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy. Zoti Van Rompuy deklaroi se liderët e 28 vendeve anëtare i kanë kërkuar atij të nisë konsultime për politikat e ardhshme të Unionit. Ai foli pas një takimi të zhvilluar në Bruksel, për të diskutuar mbi rezultatet e zgjedhjeve, që u fituan nga euroskeptikët dhe ekstremistët e djathtë. Rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian çuan në një thirrje që BE të rishikojë politikat e saj, sidomos pasi liderët e vendeve anëtare pësuan
humbje të rëndë. Por pavarësisht grupeve anti-BE, partitë pro-evropiane sërish fituan shumicën e votave në tërësi. Samiti i së martës ishte mundësia e parë e liderëve të vendeve anëtare për të diskutuar rrugën për të ndjekur pas procesit elektoral të javës së kaluar.
Reformat mund të përfshijnë më pak rregulla dhe më pak fokus në reformat ekonomike, ndërsa ato për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës duan vëmendje të veçantë për t’iu përgjigjur kërkesave të të zhgënjyerve. Zoti Van Rompuy tha se rezultatet e zgjedhjeve evropiane kishin treguar një “përzierje mes vazhdimësisë dhe ndryshimit” dhe se mesazhet euroskeptike nga votuesit janë “në zemër” të diskutimeve të liderëve. Ai shtoi se takimi në Bruksel kishte qenë i dobishëm dhe se përfaqësuesit e vendeve anëtare kanë rënë dakord për të vendosur ekonominë në qendër të axhendës së grupit.
“Teksa Unioni po del nga kriza financiare, nevojitet një axhendë pozitive rritjeje ekonomike”, tha Van Rompuy, duke përsëritur refrenin e zakonshëm për atë që duhet për të zmbrapsur ndjenjën anti-evropiane.

Share Button