BB, hua 100 milionë dollarë Shqipërise

Banka Botërore ka miratuar sot huanë prej 100 milionë dollarësh për Shqipërinë, me qëllim mbështetjen e modernizimit të sektorit financiar të vendit tonë.

Sipas njoftimit për shtyp, BB synon të forcojë sistemin rregullator financiar dhe regjimin mbikqyrës si dhe të zbusë cënueshmërinë e sektorit bankar dhe jobankar.

Më tej në njoftim thuhet se huaja mbështet axhendën reformuese të Qeverisë duke trajtuar sfida kyçe të sektorit financiar”.

Mbështetja e huasë së BB pritet të përqendrohet në mbështetjen e e reformave të qeverisë në tri fusha të gjera ndersa ka sqaruar se kjo është një hua e veçantë për politikat për zhvillim e cila lëvrohet me një këst të vetëm.

Fusha e parë përqendrohet tek forcimi i aspekteve rregullatore dhe mbikëqyrëse të sektorit privat dhe tek përmirësimi i rrjetës së sigurisë financiare. Këto përpjekje pritet që të përmirësojnë përgatitjen e bankave për të përballuar krizat dhe të përmirësojnë kuadrin e sigurimeve të depozitave.

Fusha e dytë mbështet përshpejtimin e zgjidhjes për kreditë e këqija. Si rezultat i këtyre masave, përqindja e kredive të këqija pritet që të ulet në mënyrë të konsiderueshme deri në fillim të vitit 2015. Reduktimi i kredive të këqija do të mbrojë stabilitetin financiar dhe do t’u japë mundësi më mira bankave që t’iu përgjigjen kërkesave për kredi.

Fusha e tretë përqendrohet në forcimin e aspektit rregullator e mbikëqyrës për institucionet financiare jobankare. Ajo përpiqet të forcojë pavarësinë operacionale dhe kapacitetin e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, duke e lejuar që rregullojë dhe të mbikëqyrë institucionet financiare jobankare (IFJB) në mënyrë sa më efektive.

Lidhur me huanë, specialisti i lartë financiar i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore si dhe njëkohësisht drejtuesi i këtij projekti, Mike Edwards shprehet se grupi i Bankës Botërore do të mbështesë zbatimin e këtyre reformave, ndërsa shton se autoritetet shqiptare të sektorit financiar kanë marrë përsipër të realizojnë reforma të rëndësishme për të zbutur cënueshmërinë e sektorit financiar.

 

Share Button