Bashkia e Tiranës njofton: Aboneja e muajit gusht nuk ka ndryshime!

Bashkia e Tiranës njoftoi se aboneja për muajin gusht nuk ka ndryshim nga abonetë paraardhëse, ndërsa i konsideroi abuzime njoftimet e disa linjave të shërbimit të transportit qytetas.

Në një deklaratë të Bashkisë së Tiranës, vetëm një ditë para fillimit të muajt gusht, bëhet e ditur se në disa nga linjat urbane të Tiranës qytetarëve u kërkohet të bashkëngjisin foton e përdoruesit të abonesë ose në të kundërt aboneja nuk do tu njihet. Bashkia e Tiranës këmbëngul se këto njoftime janë abuzive dhe të pamiratuara.

Bashkia njofton gjithashtu se Policia Bashkiake në bashkëpunim edhe me Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit, ka ushtruar kontrollet në disa prej linjave të transportit qytetas dhe në rastet kur janë vërejtur njoftime për ndryshim të kërkesave për abonetë mujore, janë marrë masat përkatëse administrative.

Bashkia e Tiranës ju bën thirrje të gjithë qytetarëve që të pajisen normalisht me kartelën e pajtimit mujor për muajin gusht, pa fotografi. “Nëse vëreni abuzime apo kërkesa nga operatorë të ndryshëm që bien ndesh me legjislacionin në fuqi, jeni të lutur ta denonconi pranë Bashkisë së Tiranës ose Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit” bëhet e ditur në deklaratë.

Share Button