Basha: Zgjedhjet e 21 qershorit, pikë kthese për vendin

Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke drejtuar mbledhjen e grupit parlamentar ka deklaruar se zgjedhjet e 21 Qershorit do të shënojnë një pikë kthese në qeverisjen e vendit. Ai është shprehur se, 21 Qershori do të jetë dita e gjykimit, me shqiptarët që do të vendosin nëse do të pranohet apo do të refuzohet modeli, sipas tij, i mashtrimit, korrupsionit dhe i kthimit të krimit në sistem. Më tej, Basha ka akuzuar mazhorancën dhe ka cilësuar si absurd e antiligjor projektligjin e saj për sekuestrimin e banesave të qytetarëve që nuk paguajnë energjinë.  Duke e komentuar si një truk elektoral të qeverisë tërheqjen e saj nga projektligji për sekuestrimin e shtëpive apo bizneseve në rast të mospagesës së një shume të caktuar të faturave të energjisë, Lulzim Basha tha se ky projektligj jo vetëm është një marrëzi antikushtetuese, që cenon pronën e shqiptarëve, por ai tha se në këtë gjendje mjerimi shqiptarët meritojnë më shumë. “Duhet t’ua bëjmë të qartë qytetarëve se, nëse qeveria bën një hap prapa sot në prag fushate, ajo do ta shumëfishojë arbitraritetin e saj nesër nëse merr votë në zgjedhje. Duhet të lançojmë kudo ofertën tonë, këmbënguljen tonë për uljen e çmimt të energjisë dhe faljen e kamatëvonesave”, theksoi Basha.
Kreu i opozitës shprehu mosbesim tek vullneti i qeverisë për të zhvilluar zgjedhje të standardeve më të larta, përsa kohë sipas tij, po pengohet dekriminalizimi dhe po kandidohen të inkriminuar.

Share Button